Kundër të gjitha gjasave, pandemia COVID-19 çimentoi lidhjet e BE me Ballkanin Perëndimor

Nga Olivér Várhelyi, Komisioner për Fqijësinë dhe Zgjanimin

Në Maj, kryeqyteti kroat, Zagrebi, do të priste samitin Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, ku udhëheqësit do të miratonin, ndër të tjera, një plan ekonomik dhe investimesh për rajonin.

Ky plan është një nga tre komponentët e qasjes së re që Komisioni Evropian ka zhvilluar për rajonin, për të plotësuar dy të parët: metodologjinë e rishikuar për zgjerimin e BE-së, të cilën Komisioni e paraqiti në shkurt për të rikthyer besueshmërinë te një nga politikat më të rëndësishme të BE-së, dhe vendimin për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, i miratuar nga udhëheqësit e BE-së në mars, së bashku me metodologjinë e rishikuar.

Pandemia COVID-19 nuk e hodhi poshtë këtë plan të parashtruar me kujdes: nuk e ndryshoi qëllimin, ambicien apo vendosmërinë tonë. Kjo mund të kishte ndodhur fare lehtë: pandemia goditi me forcë Bashkimin Evropian dhe tërë kontinentin dhe shkaktoi një humbje të paimagjinueshme jetësh. Komisioni mori masa të jashtëzakonshme për t’i mbështetur dhe ndihmuar Shtetet Anëtare për të përballuar krizën, për të shpëtuar jetë, për të mbrojtur sistemet shëndetësore dhe për të zbutur ndikimin socio-ekonomik. Por, në të njëjtën kohë, Komisioni ishte i qartë se pandemia mund të mposhtet vetëm me veprim global dhe duke punuar me partnerët.

Askund nuk ishte kjo më e qartë se në Ballkanin Perëndimor, një rajon në zemër të Evropës dhe i rrethuar tërësisht nga Shtetet Anëtare të BE-së. Ballkani Perëndimor ishte rajoni i parë ku kjo mënyrë të menduari u bë gjithashtu veprim konkret. Pas ditëve të para të vështira, Komisioni ndërmori masa konkrete, që në gjysmën e dytë të marsit, për të ofruar mbështetje për të gjithë partnerët në rajon – Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Masat mbuluan mbështetje për nevojat e menjëhershme si dhe për rimëkëmbjen ekonomike. Nga ana financiare ato janë tashmë të pakrahasueshme me 3.3 miliardë Euro grante dhe kredi.

Ky solidaritet i paprecedent nuk mbaroi këtu: duke pasur parasysh perspektivën e tij evropiane, BE-ja po e trajton Ballkanin Perëndimor si partner të privilegjuar, duke i dhënë qasje në shumë nisma dhe instrumente për Shtetet Anëtare. Ne i kemi ftuar qeveritë që të bashkohen me marrëveshjen e prokurimit të BE-së për pajisje mjekësore, e përjashtuam rajonin nga autorizimi i eksportit, ndërsa korsitë e gjelbra për të lehtësuar transportin e mallrave u shtrinë në kufijtë me rajonin dhe brenda tij. Rajoni është përfshirë në organet shëndetësore përkatëse të BE-së dhe vendet negociuese do të mund të përfitojnë nga fondi i solidaritetit i BE-së. Në të njëjtën kohë, BE-ja e vlerësoi mbështetjen që mori nga partnerët e Ballkanit Perëndimor me personel mjekësor dhe pajisje.

Samiti i Zagrebit tani po vazhdon si një video takim, por po vazhdon. Ne hymë së bashku në këtë krizë dhe duhet të dalim prej saj së bashku. Ne do ta mbështesim rimëkëmbjen ekonomike të rajonit, e cila në të njëjtën kohë do t’i sjellë partnerët më pranë BE-së. Ekonomitë tona janë ngushtësisht të integruara, dhe plani ekonomik dhe i investimeve që pritet tashmë në pjesën e dytë të këtij viti do të jetë edhe më i rëndësishëm. Qëllimi i tij do të jetë nxitja e rimëkëmbjes afatgjatë, modernizimi i ekonomive, nxitja e rritjes, mbështetja e reformave të nevojshme në udhën drejt BE-së, dhe në këtë mënyrë fillimi i mbylljes së hendekut të zhvillimit dhe sjellja më shpejt e përfitimeve për njerëzit.

Plani do të përqendrohet te ndërlidhja, në veçanti në transport dhe energji, dhe te një ekonomi që funksionon për njerëzit, edhe përmes transformimit digjital dhe të gjelbër. Në javët dhe muajt e ardhshëm, rajoni mund ta frymëzojë këtë plan duke parashtruar plane dhe ide konkrete, si dhe duke bashkëpunuar ngushtë. Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë do të jenë në të vërtetë thelbësore për rimëkëmbjen ekonomike. Po ashtu edhe vazhdimi i reformave, që do të thotë jo thjesht miratim i legjislacionit, por zbatim aktual i masave të ndërmarra. Përqendrimi te sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike dhe administratës publike duhet të vazhdojë.

Së bashku ne do ta kapërcejmë këtë krizë dhe do të dalim prej saj më të fortë: pandemia COVID-19 konfirmoi qartë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Ne kemi bërë hapa të rëndësishëm këtë vit përkundër pandemisë dhe duhet të vazhdojmë të mbështetemi në to për një kontinent evropian vërtetë të bashkuar.

Shperndaje në: