Turqia përparon drejt vaksinës kundër COVID-19

Ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank, tha se shkencëtarët turq kanë arritë në fazën e eksperimentimit te kafshët për me zhvillue nji vaksinë kundër Coronavirus’it të ri (COVID-19).

Gjatë nji paraqitje televizive, ministri Varank tha se tre universitete arritën në fazën e eksperimentimit te kafshët për vaksinat rekombinante dhe nji prej tyne madje filloi provat.

“Ne kemi mbështetur 17 projekte të vaksinave dhe ilaçeve për trajtimin e COVID-19 dhe 8 prej tyre janë projekte të zhvillimit të vaksinave”, tha ai.

“Pas eksperimentimit tek kafshët, duhet të fillojnë studimet klinike. Ne mbështesim studimet që mund të shkojnë më tej në studim klinik deri në fund të vitit”, shtoi ai, shkruan Anadolu Agency.

Duke theksuar se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) synon të krijojë një fond prej 7,5 miliardë eurosh për të mbështetur përpjekjet për vaksinat, Varank tha se ky projekt duhet të jetë i hapur për të gjithë botën, pasi i gjithë njerëzimi duhet të përfitojë nga kjo punë.

Duke folur për respiratorët e prodhimit vendas të Turqisë, ai tha se procesi i prodhimit po vazhdon pa asnjë problem.

Në mes të pandemisë, shumë vende u përballën me mungesa të pajisjeve mjekësore dhe respiratorëve mekanikë, të cilët janë thelbësorë për trajtimin e COVID-19.

Turqia nisi një projekt dhe arriti në prodhim masiv të respiratorëve mekanikë vetëm brenda dy javësh.

Varank tha se vendi gjithashtu prodhoi këto pajisje për vendet e tjera.

Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, coronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi.

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, në mbarë botën janë konfirmuar mbi 3,9 milionë raste COVID-19, prej të cilëve mbi 272 mijë kanë vdekur dhe rreth 1,3 milionë janë shëruar.

Në Turqi deri më tani me COVID-19 janë infektuar 135.569 persona, prej të cilëve 3.689 kanë humbur jetën ndërsa afër 86.400 janë shëruar.

Shperndaje në: