100 ditë Qeveri Kurti: Çkapja nga SHBA

Shkruen: Faton Abdullahu

Qeveria Kurti fitoj vota edhe me premtimin se do ti hap kufijtë me Shqipërinë, bile edhe se do të na bashkoj me te, por ai hapi kufirin me Serbinë për teste, ilaçe e mjek nga atje, me çka rrezikoj sovranitetin të cilën e morri nën kontroll si kurrë më parë Beogradi zyrtarë. Me një fjalë Qeveria Kurti për herë të parë që nga paslufta e zyrtarizoj, bile edhe e bëri politikë qeveritare, dyshimin ndaj SHBA-s, konkretisht ndaj Administratës Tramp. Faza më e lartë e këtij dyshimi ishte, bindja qeveritare se SHBA-t kanë një marrëveshje sekrete të dëmshme për Kosovën e cila ka të bëjë me shkëmbimin e territoreve. Ky ishte justifikim zyrtarë për ta bishtëruar dialogun për të cilën kërkohej shumë, atë që Kryeministri Kurti nuk e pati hiç, pragmatizëm politik. Nuk e pati sepse Kurti dëshiron gjithmonë të ketë të drejtë, të jetë popullor, të përkrahet, ta duan dhe ta votojnë, por jo edhe detyrimisht të jetë i dobishëm për qytetarët dhe ti sjell të mira Kosovës. Thjeshtë Kosova fiton, vetëm nëse edhe Kurti fiton.

Nëse Kurti humb edhe Kosova duhet të humb, me patjetër. Me këtë logjikë, Kurti do ta kundërshtonte p.sh. Rambujen, sepse nuk do të pranonte asgjë më pak se pavarësi të plotë për Kosovën. Me këtë logjikë Kurti do ta kundërshtonte ta zëmë krijimin e TMK-së sepse nuk do të pranonte asgjë më pak se ushtri e mirëfilltë me kompetenca të plota. Duke e aspiruar të drejtën, pra atë që i takon ai do të humbte të mundshmen atë që mund të fitohej për momentin. Me këtë logjikë Kurti sot refuzon dialogun me Serbinë, prandaj sajon dhe akuzon SHBA-n, se ata paskan plan sekret kundër nesh. Thjeshtë Kurti është tutcan në politikë.

Protesta si kërcënim qeveritar ndaj Gjykatës Kushtetuese

Krejt kjo që thash për Qeverinë Kurti nuk është krejt. Përkundrazi ka edhe shumë e shumë gabime, lëshime e mangësi tjera të mëdha duke filluar nga bllokimi i fondeve të MCC dhe shkelja e Kushtetutës e deri tek ofendimet ndaj Grenellit për orientimin e tij seksual apo gafa mbi rritjen e punësimit në këtë kohë pandemie. Mirëpo ka edhe diçka që për mua këto ditë është posaçërisht brengosëse. Qeveritarët aktual në pyetjen e përsëritur se a do ta pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me përgjigje anashkaluese kanë lënë të nënkuptohet se e bëjnë këtë vetëm nëse është në favorin e tyre, përkatësisht nëse vendimi na dergon në zgjedhje të reja. Kjo qasje është një lloj kërcënimi ndaj Gjykatës e shkaktuar nga pushtetarët aktual në qeveri. Kjo po bëhet për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtë kohore nga Qeveria Kurti. Për herë të parë kjo u bo me protesta në ballkone me gjygyma e tenxhere dhe me paralajmërim të protestave si dhe me vërsulje virtuale që në vete kishin edhe linçime e kërcënime që thënë përmbledhtazi ishte një tensionim i situatës me elemente bindëse për tu kthyer në trazira. Më pas Gjykata Kushtetuese vendosi që dekreti i Presidentit të vendit të pezullohet për një muaj. Të gjithë e përshëndetën këtë vendim, pos tjerash edhe me arsyetimin se ishte vendim i cili shtensionoj situatën që po merrte kahe të pakontrolluar. Si duket me këtë qasje Qeveria Kurti zbuloj celsin e veprimit tutje. Kështu për ta shtyrë Gjykatën Kushtetuese të veproj në favor të saj, ajo vetëm duhet ta tensionoj situatën, po ama ta tensionoj përnjëmend dhe të paralajmëroj trazira.

Sot këtë Qeveria po e bënë tërthorazi me paralajmërimin se do të ketë protesta nga ‘aktivistë të pavarur’ Gjykata, që të jetë në këtë situatë pragmatike, me qëllim të shtensionimit të gjendjes, do të marrë vendim që vendi të shkoj në zgjedhje, se përndryshe do të ketë protesta e trazira të paralajmëruara e të përkrahura nga aktivistë të dirigjuar drejtpërsëdrejti nga Qeveria në largim. Krejt kjo është e papranueshme dhe në të njëjtën kohë shumë e çuditshme se si një Qeveri me protesta në stilin opozitar mëton ta arrij një kauzë të saj politike. Krejt kjo në kohë pandemie dhe në prag të ballafaqimit të fundit meSerbinë. Krejt kjo në emër të patriotizmit, barazisë dhe çkapjes së shtetit.

(Autori asht analist i njoftun politik dhe kjo kolumnë asht shkrue për Gazetën Metro)

Shperndaje në: