Gjykata Kushtetuese vendos që përfaqësuesit e popullit në Kuvend vendosin për qeverinë e ardhshme

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re. Gjykatësit kanë marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë, por pro kësaj kanë votuar 7 gjykatës, 2 kanë dalë kundër.

Presidenti Thaçi mandatoi më 30 prill Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të formuar një qeveri të re dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e veprimit të presidentit.

Të gjitha partitë politike përveç Vetëvendosjes kanë kërkuar formimin e një qeverie të re ndërsa kanë theksuar se do të pranojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje, ndërsa kryetari i saj, Albin Kurti, ka thënë se kjo parti do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa një gjë e tillë do të jetë interpretim i Kushtetutës.

Shperndaje në: