Trump asht futë në bunkerin e Shtëpisë së Bardhë gjatë protestave?

Simbas disa raportimeve, presidenti i Shteteve të Bashkueme, Donald Trump, asht vendosë në bunkerin nëntokësor të Shtëpisë së Bardhë të Premten në mbramje, kur protestuesit po përplaseshin me policinë dhe agjentët e Shërbimit Sekret jashtë ndërtesës së famshme.

Gazeta “The New York Times” raportoi të Diellën se kreu i Shtëpisë së Bardhë asht dërgue në bunker mbasi protestuesit i larguen barrikadat afër portave të Shtëpisë së Bardhë të Premten në mbramje.

Simbas televizionit “CNN”, presidenti ka qëndrue aty për rreth nji orë para se me u kthye në zyrë. Nuk asht e qartë nëse atë e kanë shoqnue bashkëshortja Melania dhe djali Barron, shkruen “The Hill”.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk i kanë komentuar këto raportime, ndërsa Shërbimi Sekret nuk ka folur për shkak të shqetësimeve operacionale. Presidenti Trump e akuzoi kryetaren e Uashingtonit, Muriel Bowser, se nuk e ka lejuar policinë lokale që të ofrojnë ndihmë për agjentët e Shërbimit Sekret.

Sidoqoftë, Shërbimi Sekret përmes një deklarate tha se policia amerikane e parqeve dhe policia metropolitane e kryeqytetit kanë qenë në vendin e ngjarjes të premten në mbrëmje.

Protesta në Uashington ishte në mesin e shumë protestave të tjera që shpërthyen pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd gjatë arrestimit nga policia.

Bowser reagoi ndaj akuzave të presidentit, duke thënë se qëndron me protestuesit që po kërkojnë drejtësi për këtë rast dhe u zotua se policia e kryeqytetit do t’i mbrojë të gjithë banorët.

Shperndaje në: