Thaçi i kërkon Kurtit ta bëjë këtë gjë menjëherë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media pas votimit të qeverisë Hoti në Kuvendin e Kosovës.

Thaçi ka uruar deputetët, kryeministrin dhe ministrat e ri të Kosovës.

“Si president i vendit uroj për mbarëvajtje të seancës, për maturi institucionale që treguan deputetët e Kuvendit, ata që votuan për dhe ata që mbajtën pozicionet e tyre. Është një ditë e rëndësishme sepse sot u vendos edhe një gur në themelin e shtetësisë së Kosovës. Dua të uroj kryeministrin Hoti, ministrat të gjithë për marrjen e detyrave të reja. Tani nuk kemi kohë të humbasim, por duhet të punojmë dhe të ballafaqohemi me sfidat që kemi para nesh”, tha Thaçi.

Ai më tutje i ka kërkuar ish-kryeministrit Kurti të lirojë zyrat për qeverinë e re.

“Nga Kurti kërkohet pranim-dorëzim sa më i lehtë i detyrës tek qeveria Hoti, kërkohet të heq dorë Kurti nga barrikadimi në zyrën e uzurpuar, barrikadimi i tij që nuk i bën nderë as atij, as partisë së tij, as shtetit të Kosovës e as demokracisë në Kosovë. Pas shkarkimit ai po bëhet edhe më qesharak.”, tha Thaçi.

Thaçi gjithashtu ka përshëndetur zotimet e kryeministrit Hoti lidhur me qeverisjen e Kosovës dhe përballjen me temat kryesore.

“Detyrat që ka marrë sot qeveria e Kosovës, kërkojnë përgjegjësi të lartë, këtë e presin qytetarët, këtë e presin miqtë tanë. Presim nga qeveria të thellojë reformat në ekonomi, sundim të ligjit dhe qeverisje të vendit. Qeveria e re duhet të tregohet e përgjegjshme për anëtarësimin në NATO dhe BE. Edhe njëherë i bëjë thirrje BE-së, t’i vlerësojnë pozitivisht të arriturat e Kosovës dhe të mos vonohen në liberalizimin e vizave.”, tha Thaçi.

Shperndaje në: