E vërteta mbi maskat: A na mbrojnë ato nga Coronavirusi?

“The Week”

* Ekspertët e shëndetësisë, po rekomandojnë tashmë që njerëzit të mbulojnë fytyrat e tyre kur ndodhen në vende publike. Por a janë maskat vërtet efektive në parandalimin e përhapjes së virusit? Ja çfarë duhet të dini:

Si e luftojnë maskat Covid-19?

Goja dhe hunda, janë zakonisht vendet ku koronavirusi nis të përhapet. Ato shërbejnë gjithashtu si “porta’ për përhapjen e virusit tek të tjerët. Pështyma e të infektuarve, është e infektuar me grimca të virusit, të cilat lëshohen bashkë me spërklat kur ata kolliten apo teshtijnë.

Pikëzat më të vogla, të quajtura aerosole, hidhen në ajër kur një person flet apo edhe thjesht merr frymë. Ato më të mëdha, mendohet se janë mjeti kryesor i transmetimit të Covid-19, dhe mund të udhëtojnë 2 metra apo më shumë në ajër, përpara se graviteti t’i rrëzojë përtokë.

Pikëzat aerosole mund të mbeten në ajër për orë të tëra, dhe janë ende potencialisht të afta të shkaktojë infektim, sidomos në hapësirat e mbyllura dhe me ajrore të pakët. Duke shërbyer si një pengesë, maskat mund të bllokojnë përhapjen në ajër të spërklave nga një person i infektuar, dhe e ngadalësojnë shpejtësinë e grimcave që përshkojnë ajrin.

Sa efektive janë ato?

Ndonëse studime të ndryshme, arrijnë në përfundime të ndryshme statistikore, konsensusi dominues është se ato ndihmojnë në frenimin e virusit. Xheremi Hauard, shkencëtar australian i të dhënave, që krijoi faqen në internet “Masks4All.co”, ka identifikuar 34 dizajne maskash që tregojnë efektivitetin e tyre.

Ndërkohë Studiuesit e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në SHBA, bënë një eksperiment që ofronte një pasqyrim vizual se si funksionojnë maskat. Ata përdorën dritën lazer për të ndriçuar morinë e spërklave të lëshuara kur dikush flet, dhe treguan sesi thuajse të gjitha ato bllokoheshin kur personi mbante maskë.

Edhe një ekip shkencëtarësh dhe akademikësh nga Evropa dhe Kalifornia, ndërtuan kohët e fundit një simulim kompjuterik, ku treguan se nëse 80 përqind e popullsisë mbanin maska, shkalla e infeksionit do të binte me më shumë se 90 përqind.

Kjo gjetje, përputhet me nivele jashtëzakonisht të ulëta të infeksionit në vendet aziatike, ku mbajtja e maskave është thuajse universale, përfshirë Hongun Kongun dhe Tajvanin, ku secili ka pasur më pak se 10 të vdekur nga Covid-19, pavarësisht densitetit të lartë të popullatës.

A e mbron maska atë që e mban?

Jo tërësisht, por në pjesën dërrmuese po. Një studim i financuar nga Organizata Botërore e Shëndetit, që analizoi 64 punime shkencore zbuloi se maskat ulnin me 50-80 për qind rrezikun e infektimit të përdoruesve të tyre. Dhe ndërsa maskat ​​N95 – të cilat bllokojnë 95 për qind të grimcave 0.3 mikron ose më të mëdha – cilësohen si më të mirat, ato kirurgjikale apo të bëra vetë në shtëpi me copa leckash mund të jenë mjaft të suksesshme.

Një studim zbuloi se për mbrojtje të brendshme, maskat N95 ishin 99 përqind efektive, ato ​​kirurgjikale 75 për qind, dhe një maskë prej lecke 67 për qind. Edhe pse disa viruse arrijnë gjithsesi të depërtojnë, shkencëtarët teorizojnë se ulja e sasisë mund të përbëjë një ndryshim të madh. Nëse ekspozimi fillestar është i madh, virusi mund ta mbingarkojë sistemin imunitar dhe të shkaktojë sëmundje serioze. Nëse është relativisht e vogël, mbajtësi i maskës mund të ketë pak ose aspak simptoma.

Pse mbajtja e maskave ngjall ende debate?

Në fillim të pandemisë, sinjalet e përziera nga ekspertët krijuan konfuzion tek publiku. Ndërsa Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA, u rekomandojnë tani njerëzve të mbajnë maska, në fillim u thanë atyre që të mos e bënin këtë.

Asokohe, CDC ishte e shqetësuar se publiku do të përdorte maskat mjekësore, që ishin shumë më të nevojshme për mjekët dhe infermierët. Ata gjithashtu kishin frikë se mbajtësit e pa trajnuar të maskave do të ndotnin maskat ose duart e tyre, duke rritur kështu rrezikun e prekjes nga virusi, dhe se maskat mund t’u japin mbajtësve të tyre një ndjenjë të rremë të sigurisë.

Ndërsa sot ka një konsensus të gjerë në favor të mbajtjes së maskave, ekspertët paralajmërojnë se ato nuk janë mburoja magjike, por vetëm një pjesë e një arsenali që përfshin larjen e duarve dhe distancimin social.

Çfarë lloj maskë duhet të mbaj?

Maskat N95, duhet të përdoren nga mjekët dhe infermierët. Studimet kanë zbuluar se edhe maskat kirurgjikale që mund të blihen në farmaci, mund të jenë shumë efektive. Edhe maskat prej lecke sigurojnë mbrojtje, por në shkallë të ndryshme. Një studim i Universitetit Ueik Forest, zbuloi një variacion të madh në varësi të materialeve të përdorura, me ato më të mirat që arritën deri në 79 për qind të filtrimit.

Për të bërë vetë maska të tilla, mundohuni të gjeni materiale që kanë një endje të dendur, si copat prej pambuku, fanelate, dhe të përdorni një shtresë të dyfishtë. Maskat duhet të përshtaten mirë në fytyrë, dhe të arrijnë deri nën mjekër poshtë, dhe deri në majën e hundës lart. Lajini ato pas çdo përdorimi, dhe kur i hiqni, kini kujdes të mos i ndotni, dhe lani duart direkt para dhe pas përdorimit të tyre.

Shperndaje në: