Kush janë 6 deputetët e koalicionit që nuk e votuan Qeverinë Hoti?

Me 61 vota për, Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike është zgjedhur kryeministër i ri i Kosovës. Votat pro, Hotit nuk ia besuan as disa prej deputetëve të koalicionit të ri qeverisës. Ndryshimin e bëri deklarimi i shefit të grupit parlamentar të Nismës, Haxhi Shalës, që në minutat e fundit e ndërroi qëndrimin, raporton Gazeta Express.

86 deputetë ishin në sallë dje kur u votua qeveria e re në krye me Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Megjithatë, i zgjedhuri i LDK’së për shef të ekzekutivit, arriti të marrë minimumin e votave që i duhen për t’u bërë kryeministër i ri i shtetit, pas rrëzimit të Albin Kurtit.

Kuvendi dje përmes një sqarimi ka bërë të ditur se 61 deputetë votuan pro, 24 kundër, dhe 1 deputet ka abstenuar. Megjithatë, të njëjtit nuk kanë publikuar emrat e deputetëve, duke dhënë sqarimin se votimi është bërë me dorë, e nuk është mbajtur evidencë me emra.

Përvec Lëvizjes Vetëvendosje që nuk mori pjesë në seancë, kundër zgjedhjes së Hotit kryeministër votuan të gjithë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Në seancë nuk ishin nga LDK’ja as Vjosa Osmani, që për të udhëhequr seancën e autorizoi Kujtim Shalën, e as deputeti Haxhi Avdyli.

Nga LDK’ja, ndërkaq deputeti Fatmir Rexhepi ka abstentuar. Donika Kadaj -Bujupi e AAK’së lëshoi sallën kur u votua qeveria, për të shpjeguar më vonë se ‘nuk ndihet rehat” me qëndrimin e Hoti ndaj Serbisë, prandaj nuk ia dha votën.

Lista Srpska ka dhënë të gjitha votat pro kësaj qeverie, ndërsa, nga minoritetet jo serbe nuk votuan Elbert Krasniqi dhe Zikreta Aliti.

Shperndaje në: