Paralajmërohen protesta në klubet e natës, nëse nuk lejohet hapja e tyre

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të lejojnë të hapen klubet e natës, në të kundërtën ai ka paralajmëruar protesta.

Kllokoqi ka thënë se duhet të krijohet një manual i ri për parandalimin e virusit COVID-19, dhe të gjendet një zgjidhje që nuk i dëmton këto biznese.

“Si Bashkëpronar i një klubi të natës në Prishtinë jam i detyruar të shpreh një mllef timin. Shumë standarde të dyfishta po aplikohen e që po krijojnë konfuzion edhe në kokën time. Një lokal me 30 m2 lejohet të punoj me 50-100 mysafir, ndërsa një lokal i natës me 2000m2 nuk lejohet të operojë aspak. Jam për rregulla por pa dëmtime në biznese të veçanta. Janë lejuar 7000 biznese gastronomie të operojnë e 16 klube të natës nuk po lejohen. Le të ketë një rregull të njëjtë dhe ne do e përkrahim, sa persona lejohen në metra katror aq do i lejojmë.

Klubi im ka edhe një teras/ambient i hapur. Ne kemi mundësi të zbatojmë çdo manual që na jepet sikur të na lejohet edhe operimi”, ka thënë ai në një reagim në Facebook, përcjell Telegraf.

Kllokoqi ka shtuar më tej se bizneset e tyre janë duke shkuar drejt bankrotimit.

“Ne, klubet e natës, e kemi përfitim remitencen, i kemi përfitimet nga diaspora e vera. Ne jemi duke vërejtur që ky numër i diasporës është tejet më i vogël se verat e kaluara. Nuk kemi numrin e njëjtë të diasporës këtë vit. Ne punësojmë gjatë periudhës verore si ZONE Club më shumë se 150 persona me gjendje financiare jo të mirë, e gjithë ata janë duke kaluar këtë kohë në varfëri të skajshme. Edhe ne si biznese po shkojmë drejt bankrotit e edhe punëtorët tanë drejt varfërisë së skajshme”, thotë ai.

Tutje, në reagimin e bërë ai ka thënë se shtetet fqinje kanë lejuar hapjen e klubeve të natës, prandaj edhe Kosova duhet të lejojë.

“Shtetet fqinje duke përfshire edhe Serbinë nuk kane zbuluar vaksinën, por kanë lejuar hapjen e klubeve të natës si dhe mbajtjen e festivaleve me kapacitet 100.000 persona sepse ne po na shkatërron ekonomia. Po ashtu edhe Mali i Zi ka lejuar klubet e natës dhe festivalet të funksionojnë. E Shqipëria verës asnjëherë nuk ka funksionuar me klube me ambient të mbyllur të natës gjatë verës sepse ata gjatë verës shfrytëzojnë klubet e plazheve apo beach club në bregdete, e ato gjithashtu janë duke funksionuar.

Ju bëjë thirrje Organeve kompetente që të na ftojnë për krijimin e një manuali të ri dhe bashkërisht të gjejmë një zgjidhje që nuk dëmton bizneset tona në veçanti, gjithnjë duke u kujdesur për shëndetin e secilit individ që na viziton. Në të kundërta ne do të organizojmë protesta në klubet tona, me distancë e me shenja sepse ATO PO LEJOHEN”, përfundon shkrimi i tij.

Shperndaje në: