Efektet e karantinës: Shqiptarët shtuan kafetë, por konsumuan më pak cigare

Në muajt e karantinës, kur shqiptarët ishin të izoluar, buxhetit të shtetit i munguan 5 miliardë lekë, kjo për shkak të uljes së importeve.

Megjithatë në muajin prill, kur u forcuan masat e ndalim qarkullimit sasia e kafesë e futur në Shqipëri u rrit me 250 tonë, ndërsa një rënie të lehtë shënoi duhani.

Për shkak të gjendjes së krijuar nga koronavirusi të ardhurat nga doganat shqiptare në këtë gjashtë mujor kanë rezultuar më të ulëtat që nga viti 2016.

Sipas të dhënave zyrtare në këtë periudhë u regjistruan në 68 miliardë lekë me një mosrealizim prej 5 miliardë lekësh.

Pavarësisht kufizimit të aktivitetit ekonomik gjatë karanatinës në muajin prill është importuar dhe sasia më e madhe e kafes prej 922 ton, nga 676 ton që ishin një muaj më parë.

Sasia e cigareve, ndërkohë shënoi një rënie në prill, por duke pësuar sërish ringritje një muaj më pas.

Edhe pse vendi ishte në një gjendje të jashtëzakonshme që prej muajit mars, sasia e kafesë dhe cigareve shënoi një rënie të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë si gjashtë mujor, importi i kafesë ka rënë me 40 ton, ndërsa cigaret me 100 ton.

Karburantet ndërkohë kanë shënuar rritje me 3400 ton, kjo dhe për shkak të çmimeve në tregun ndërkombëtar.

Muaji prill, i cili korrespondon dhe me muajin që ekonomia u mbyll plotësisht, ka performancën më të dobët pasi ka arritur të mbledhë vetëm 8.9 miliardë lekë nga 11.4 miliardë, që ishte parashikuar.

Me rihapjen e ekonomisë, të ardhurat në qershor u rritën duke shkuar në rreth 13.3 miliardë lekë, ndërkohë që në krahasim me planin janë mbledhur 1.1 miliardë lekë më pak në këtë periudhë.

Shperndaje në: