Hoti u zotohet liderëve politikë për transparencë në dialog, iu flet edhe për takimin në Bruksel

Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media ku ka treguar për mbarëvajtjen e takimit të sotëm të thirrur nga kryeministri Hoti me liderët e partive politike, takim ky që u bojkotua nga kreu i PDK-së, Kadri Veseli dhe ai i VV-së, Albin Kurti.

Në njoftim thuhet se, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti e ka njoftuar sot Forumin e partive politike për ecurinë e deritanishme të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili, siç ritheksoi ai, duhet të përfundojë me normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe me njohje reciproke.

“Me këtë rast, kryeministri Hoti shtjelloi ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut, duke nisur që nga Samiti i Parisit, mbajtur më 10 korrik 2020 nëpërmjet video-konferencës, në të cilin morën pjesë Presidenti Macron, Kancelarja Merkel, Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme i BE-së Borrel, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Lajçak dhe presidenti serb Vuçiq, video-konferenca e datës 12 korrik 2020, në mes kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, e udhëhequr nga z. Borrel dhe z. Lajcak, deri te takimi i fundit me presidentin serb në Bruksel, që është mbajtur më datë 16 korrik 2020, po ashtu me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të lartë të BE-së”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Hoti, edhe me këtë rast, ka ritheksuar se i tërë procesi i dialogut do të jetë plotësisht transparent, ndërsa Kuvendi i Kosovës, Forumi i partive politike dhe opinioni i gjerë në vend do të njoftohet hollësisht për secilin takim.

“Nga ana e tyre, të gjithë përfaqësuesit e partive politike të vendit të përfaqësuara në këtë forum, i dhanë mbështetje të plotë kryeministrit Hoti dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për procesin e dialogut politik me Serbinë”, përfundohet në njoftim.

Shperndaje në: