Zaev mundet me i pshtue Shqiptarët, jo Alia!

shaqirislami

Shaqir Islami

 

Ajo që ndodh aktualisht në skenën politike, është sa qesharake aq dhe tragjike. Kërkesat e Zaevit dhe koalicionit të opozitës, janë me vend. Bojkoti i tyre ka kuptim. Politikanët dhe deputetët Shqiptarë, i durojnë mundimet, përbuzjet, përçmimet, ofendimet dhe fyerjet më çnjerëzore, por s’kanë zemër që ta bojkotojnë as parlamentin as institucionet. Bojkoti është mjet politik që zbatohet në demokraci dhe është i ligjshëm. Këta mjeranë tanë me gojën plotë “patriotizëm”, dinë t’i durojnë fyerjet, ofendimet dhe përbuzjet por s’kanë guxim të marrin hapa të tilla.

Këto kërkesa për shërimin e demokracisë në vend, janë më të domosdoshme se kurrë. Demokracia, shprehje të cilën klasa politike shqiptare në Maqedoni e përtyp pamëshirshëm ( pa kuptuar ende thelbin dhe domethënien e saj), lëngon si një i sëmurë rëndë, dhe i pashpresë. Këta “tanit” abuzojnë dhe masturbojnë me fjalën demokraci, vetëm për t’i manipuluar apo të them qartë, për t’i mashtruar votuesit Shqiptarë. Dhe për asgjë tjetër. Sipas këtyre “kuazi-politikanëve”, demokracia është një shprehje e kotë dhe abstrakte që nuk ka asnjë funksion, e cila shërben vetëm si qetësim i elektoratit të pashpresë; ta përtypësh pa pushim si çamçakëzin këtë shprehje, dhe të mos ndjesh kurrfarë përgjegjësie ndaj fjalës së thënë, flet për çdo gjë.

Në fakt, kërkesat e Zaevit lypsen të jenë kërkesat e Shqiptarëve në Maqedoni. Të paktën duhet të ishin. Prandaj, nuk ka asnjë arsyetim nga ana e klasës politike shqiptare se kinse “ata janë duke punuar për çështjen Shqiptare”. Edhe ky nocion shërben vetëm për mashtrim të Shqiptarëve. Nuk ka çështje Shqiptare. Alo, nuk ka. Kjo është rena ma e madhe e politikanëve në Maqedoni, nisur nga M. Thaçi e deri te A. Ahmeti. Këta pallavraxhi të papërmirësueshëm e kopjojnë njëri tjetrin dhe çojnë pluhur kotë, duke e akuzuar njëri-tjetrin kinse për tradhti ndaj “Çështjes Shqiptare”. Zoti i ruajt Shqiptarët prej kuazi-patriotëve të tillë. Por, “çështja Shqiptare”, duhet sqaruar njëherë e përgjithmonë. Çka do të thotë ky nocion?

Bojkotimi i parlamentit nga ana e LSDM-së, është një moment i shumë pritur, të cilën gjë, që moti është dashur ta bëjnë “patriotët udhëheqës politik”. Por s’e kanë bërë dhe s’e bëjnë. A dini pse? Sepse këta “balosha”, interesin personal e venë mbi interesin publik. Lëre se nuk kanë as dijeninë më elementare se çka do të thonë këto nocione (edhe sikur t’i kishin kuptuar), do të vepronin në të njëjtën mënyrë, për shkak se ata janë përpiluar dhe sajuar, vetëm për t’u bërë dëm Shqiptarëve dhe për ta shpërfytyruar dhe për ta bërë sa më të paqartë dhe sa më të mjegulltë, atë kuazi-shprehje që përtypet si çamçakëz, “Çështja e Shqiptare”.

S’do mend se këtë herë, çdo shqiptarë, i vogël e i madh, patriot dhe jo i tillë, duhet t’ia shtrijë dorën Zajevit. Pavarësisht nga qëllimet e vërteta të tija. Duhet bashkuar me Zajevin, sepse demokracia në shtetin tonë, është i sëmurë dhe i ngulfatur. Me shërimin e saj, do të nis dhe shërimi i shtetit të kapur dhe të ngulfatur. Një shoqëri e lirë, me media të lira, me siguri për jetën e qytetarëve, me barazi qytetare, me drejtësinë për të gjithë qytetarët, ku ligji do t’i trajtojë njësoj qytetarët, pavarësisht fesë, gjuhës, ngjyrës, gjinisë … siç e kërkon dhe e parashtron sistemi politik i demokracisë liberale, atëherë do të ketë bereqet në këtë shtet.

Duhet t’ia zgjasim dorën Zaevit, jo vetëm për të mirën tonë por, për të mirën e të gjithë ne, që më në fund, t’i jepet fund tranzicionit të pafund. Të luftohet e keqja dhe pashpresa në këtë shtet. Të normalizohet dhe të funksionalizohet ky shtet. Vetëm së bashku, me besim të plotë midis dy bashkësive etnike mund të ndërtohet shteti funksional me demokraci qytetare, dhe t’i jepet fund, njëherë e përgjithmonë demokracisë elitare, siç funksionon aktualisht. Shqiptarët duhet të këndellen nga hipnoza mashtruese dhe ndjellakeqe e A. Ahmetit dhe e M. Thaçit, dhe ta marrin fatin në duart e tyre. Për shkak se nga ta, nuk vjen asgjë e mirë për qytetarin e rëndomë, përveç, diskriminimit, segregacionit, përbuzjes, varfërimit, mjerimit dhe pashpresës.

(Ky tekst asht botue në “Lajm” te Shkupit, në Qershor të 2014)

Shperndaje në: