Tragjedia e Berlinit, zbardhen lëvizjet e terroristit tunizian

Anis Amri, tuniziani përgjegjës për atentatin në tregun e Kshnellave në Berlin, ka lanë gjurmë gjatë lëvizjeve të tij nëpër Europë.

Mbasi kreu atentatin që u mori jetën 12 vetave, ai kaloi përmes stacionit të Lyonit, Part-Dieu, ku bleu nji biletë treni për në Milano të Italisë, me ndalesë në lokalitetin Shamberi.

Këtë e kallxojnë pamjet e telekamerave të sigurisë të stacionit, të cilat po mbikëqyren imtësisht nga autoritetet. Simbas mediave europiane, që citojnë burime nga grupi hetimor, blemja e biletës u ba me pare në dorë.

Por, terroristi nuk ndjeki itinerarin e dytë të udhëtimit, Shamberi-Milano, por u nis nga lokaliteti francez për në Torino përmes linjës së TGV.

Në Torino ai qëndroi për dy orë, për m’u nisë mandej drejt Milanos, ku mbërriti në orën 00:46. Mandej, nga Stacioni Qendror udhëtoi në stacionin tjetër, Sesto, tue përdorë nji autobus në mungesë të metros që në atë orë ishte e mbyllun.

Pikërisht këtu, në orën 3 të mëngjesit ai u ndal për nji kontroll rutinë nga policia. Kur agjentët i kërkuen dokumentat dhe të kallxonte se çka mbante në çantën e shpinës, ai nxorri alltinë e kalibrit 22, dhe qëlloi. Reagimi i agjentëve ishte fatal për tunizianin.

Shperndaje në: