Portreti i Erdogan simbas shërbimeve sekrete (rinia, pasunia, familja)

Disa e adhurojnë, disa e urrejnë, të tjerë i tuten. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan asht nji figurë kaq e polarizueme kohët e fundit. Ai asht në pushtet që prej 13 vjetesh, por pak gjana dihen për jetën e tij private.

Me ndihmën e ekspertave, biografëve dhe kundërshtarëve, rrjeti gjerman ZDF e ka pregaditë nji dokumentar me titull: “Njeriu Erdogan- sekretet e presidentit turk”.

Shumica e turqve e adhurojnë presidentin e tyne. Ai asht njeriu i fjalëve të qarta dhe gjesteve të forta. Profesoresha Jenny White thotë: “Ai ka talentin dhe karizmën e nevojshme për me zgjue krenarinë e turqve dhe për me e përdorë për vete”. Në vitin 2015, Erdogan e ndaloi nji të ri që po kryente vetvrasje në nji urë në Stamboll. Autokolona e tij po kalonte në momentin kur i riu po bahej gati me kcy. Erdogan i thirri dhe u kujdes që ai mos me kcy. Inskenim apo e vërtetë? Veçanërisht për turqit konservatorë, Erdogan shihet si baba i kombit. Por, jashtë vendit e shohin si nji udhëheqës autoritar, nji diktator.

Në dokumentarin e ZDF citohen dokumente të shërbimeve të inteligjencës perendimore në vitin 2016 ku thuhet se Erdogan e ka humbë lidhjen me realitetin dhe asht kthye në nji autokrat të vetmuem. Erdogan u rrit me katër fëmi të tjerë në lagjen Kasimpasa të Stambollit, nji lagje e varfën në port. Baba ishte marinar, kurse nana kujdesej për disiplinën dhe devotshmëninë. Baba e ndaloi të birin me luejt futboll- pasionin e tij, sepse pantollat e shkurta nuk përshtaten me besimin mysliman.

erdoganiii

Kurse, nana e tij donte që i biri me u martue me nji çikë të mbulueme plotësisht, por ai e kundërshtoi, tue i thanë se kjo kishte me ja damtue karrierën politike. Në udhët e kësaj lagje ai nisi me e formue karakterin. Ma vonë u fut në politikë dhe në vitin 1994 u zgjodh kryetar i Stambollit.

Aktualisht ai jeton me të shoqen, Emine në pallatin presidencial në Ankara: Nji ndërtim lluksoz me 1 mijë dhoma dhe 40 mijë metra katrorë në mes të nji zone të mbrojtun natyrore. Ndamja e detyrave e ti asht e qartë: Burri punon, grueja kujdeset për katër fëmitë dhe punët e shpisë. Eminja e mbështet bashkëshortin e saj. Thuhet se ajo edhe ndikon ndjeshëm te ai. Nuk dihen shumë detaje, por thuhet se ai asht besimtar i bindun, nuk pin duhan, nuk konsumon alkohol dhe shkon gjithmonë në faljen e të Xhumasë. Dokumentari spekulon se ai merret shumë me sport për shkak të peshës dhe problemeve shëndetësore. Dokumentet sekrete sugjerojnë se ai ka pasë probleme me shneten që prej vitit 2007, dyshohet për hernie diskale, që i rrezikon mundësinë për me punue.

Sa i takon pushtetit, në vitin 2004 ai u prezentua si nji reformator. Në atë kohë kancelari gjerman, Gerhard Schroeder i dha çmimin “Europiani i vitit”. Por, gjanat kanë ndryshue me kalimin e viteve, sidomos mbas grushtit të dështuem të shtetit.

Ish-kryeredaktori i gazetës Cumhuriyet, Can Dundar thotë: “Sa ma shumë pushtet merr, aq ma shumë i ndikon për keq pushteti. Këtë helm që e merr nga pushteti po e përhap edhe në Turqi”./BILD

Shperndaje në: